Ju keni shumë të drejtë të jeni mosbesues ndaj dikujt që ka tradhtuar një herë dhe ky reflektim mbështetet edhe sipas një studimi të publikuar në “Archives of Se-ual Behavior”, shkruan “Health Line”.
Τradhtia partneri besimi




Studiuesit kanë vëzhguar persona në marrëdhënie afatgjatë, për historikun e tyre të tradhtive. Mes atyre që kishin qenë jo besnikë në marrëdhëniet e mëparshme, 30 për qind kishin tradhtuar edhe partnerët aktualë.
Kjo, krahasuar me vetëm 13 për qind të atyre që nuk i kishin tradhtuar kurrë partnerët e mëparshëm. Ky raport qëndron si për burrat, ashtu dhe për gratë dhe mbështetet edhe nga studime të mëparshme.
Studiuesit kanë arritur në atë që e etiketojnë si “efekti prag”.
Kur tradhton një herë, të kryesh sërish një akt të tillë, mund të duket si diçka jo shumë e madhe, thotë bashkautori i studimit, Frank Dattilio, psikolog klinik në Allentown.




Por kjo nuk do të thotë që tradhtarët nuk mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Duhet kujtuar që plot 70 për qind e atyre që kishin tradhtuar në të shkuarën, ishin besnikë në marrëdhëniet aktuale.
Si ta kuptosh që një tradhtari mund t’i besosh tani?
Flisni me partnerin për tradhtinë: kur e ka kryer ndaj jush, apo ndaj dikujt tjetër dhe shikoni si do të reagojë, thotë Dattilio.
Nëse partneri e kalon atë temë dhe sillet sikur nuk keni të drejtë të preokupoheni për të, mund të keni arsye për t’u shqetësuar, thotë ai.




Kjo është një shenjë që partneri nuk e vlerëson shumë besnikërinë. Por nëse partneri tregohet i hapur për çfarë ka ndodhur, pranon që ishte një gabim i tmerrshëm dhe duket sinqerisht i thyer nga kjo arsye, atëherë mund ta besoni që e merr tradhtinë po aq seriozisht sa ju, thotë Dattilio.
Dhe ju keni një arsye të fortë për ta besuar sërish.