Хhemi Ѕhehu tregon рѕе iku nga Рortokalli: S’kam futur bërryla, me Ѕalѕаnon u lidha më shumë pasi iku Eneda

“Mua nuk më kthen asgjë në televizion, përveçse mund të ndodhë ndonjë çudi shumë e madhe”, – thotë Xhemi Shehu që në fillim, teksa tentojmë t’i mbushim mendjen se ia vlen të dalë në kopertinën e fundit të revistës “WHO”.

Dhe na i pret krahët krejt, mirë që nuk do e shohim më në ekran, por rrezikon të na lërë dhe pa kopertinë, sepse me këtë përgjigje ka bërë zero të gjithë ato argumentet që pijnë ujë tek shumica e personazheve, si për shembull “të duhet të flasësh, sepse emri yt duhet të qarkullojë për të ardhmen”, “është një PR i mirë” apo “të duhet të jesh në tavë”… Xhemit nuk i intereson fare të jetë në tavë, sepse në mendjen e saj e ka mbyllur njëherë e mirë këtë kapitullin e televizionit.

Por, ama, funksionin argumenti tjetër me të, ai i tipit “le ta bëjmë një kopertinë festive për qejf, me një set xixëllues” dhe le t’i japim kështu lamtumirën denjësisht ekranit (ne themi dashtë Zoti dhe ndodh çudia) dhe këtij viti allasojësh. Dhe këtu i kemi bërë llogaritë mirë, sepse e dimë që Xhemi është gocë e mirë dhe nuk thotë kurrë jo. Urra! Kopertina u krye.

Dhe po, Xhemi është gocë e mirë dhe këtë e thonë të gjithë, e kuptojnë dhe ata që e shohin në ekran apo e ndjekin në rrjet. Eshtë e bukur dhe është rritur në sytë tanë ditë pas dite, pa mbetur “ajo e bukura”, – siç thuhet për shumë të tjera. Edhe pse në fillim është shfaqur si velinë, ia ka dalë mbanë me çdo lloj spektakli, skena të vogla e të mëdha për të dhënë dhe më të mirën e saj si pjesë e trupës së “Portokalli”-së, duke qenë shumë e natyrshme dhe duke interpretuar në role të mirëfillta, pa mbetur ajo vajza e bukur që thotë “le ta përcjellim me dartrokitje filanin dhe të presim fistekun”.

Xhemi ka bërë shumë më shumë, duke ruajtur ndërkohë dhe etiketën “gocë e mirë, yll”, që e ka shoqëruar që në fillimet e veta e deri tani. Dhe mendo, këtë e thonë dhe shumë njerëz të njohur, nga ata që i hanë sytë njëri-tjetrit. “Më vjen mirë për këtë fjalinë e fundit”, – thotë Xhemi – “nuk e di, nuk është se e bëj me recetë këtë gjë. Ndoshta është për hir të tipit tim, që nuk para kam sulmuar të ngjashmit e mi në ekran, sepse unë mendoj gjithmonë që ka vend për të gjithë në ekran.

Ndoshta është sepse unë asnjëherë nuk kam dashur të jem në qendër të vëmendjes, mbase edhe sepse i kam hapur krahët çdokujt që ka ardhur për të punuar me mua. Nuk para kam qenë luftarake që t’i fus bërrylat (se kështu është bërë për t’u thënë) dikujt. Faktikisht kam parë punën time, kjo mbase më ka ndihmuar, por faleminderit, më bëhet qejfi që thonë kështu për mua”.