“Familjarët janë për dasma edhe me ta hjekë ndonjë “tëmth” kur ke nevojë”

“Familjarët janë për dasma edhe me ta hjekë ndonjë “tëmth” kur ke nevojë”, ka shkruar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në llogarinë e saj në Facebook derisa ironizon me shprehjen e kryeministrit, Albin Kurti për punësimet e me presidenten, Vjosa Osmani, e cila së fundmi ka kryer një ndërhyrje kirurgjike, pikërisht në tëmth.

Operimi i Presidentes, Vjosa Osmani bëri bujë mjaftë shumë në vendin tonë, pasi Presidentja zgjodhi një klinikë private për operim dhe jo Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Këshilltari për media i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina ka treguar arsyen pse Vjosa Osmani ka zgjedhur për operim spitalin privat “Aloka” dhe jo QKUK-në.

Kupina ka thënë se axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital i cili ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes për një kohë gjatë.

“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike”, ka deklaruar Këshilltari i Vjosa Osmanit për Gazetën Insajderi.