OВЅН thotë se raѕtet e deritaniѕhme të lisë së majmunëve mund të jenë maja e ajѕbergut

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se 200 rastet e lisë së majmunëve të zbuluara javët e fundit jashtë vendeve ku virusi zakonisht qarkullon, mund të jenë vetëm fillimi.

“Ne nuk e dimë nëse po shohim vetëm majën e ajsbergut, nëse ka shumë raste të tjera që janë të pazbuluara në komunitete,” pranoi gjatë një konference Sylvie Briand, shefe e përgatitjes dhe parandalimit për epideminë dhe pandeminë e OBSH-së.

Lia e majmunit është endemike në një numër vendesh të Afrikës perëndimore dhe qendrore, por së fundmi është shfaqur papritur në më shumë se 20 vende të tjera në mbarë botën, përfshirë SHBA, Australi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa vende të BE-së. Argjentina konfirmoi të premten dy rastet e para të lisë së majmunëve në Amerikën Latine.

Briand u tha përfaqësuesve të vendeve anëtare që morën pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetit në Gjenevë se jemi ende në fillim.

“Ne e dimë se do të kemi më shumë raste në ditët në vijim”, tha ajo, por theksoi se nuk ka vend për panik. “Kjo nuk është një sëmundje për të cilën duhet të shqetësohet publiku i gjerë. Nuk është Covid apo sëmundje të tjera që përhapen shpejt.”

Nuk ka shumë trajtime, por ekzistojnë disa antivirale të zhvilluara kundër lisë, duke përfshirë një që u miratua së fundmi nga Agjencia Evropiane e Barnave kundër lisë, vuri në dukje Briand.

Vaksinat e zhvilluara për linë janë rreth 85% efektive në parandalimin e lisë së majmunëve. Megjithatë, duke qenë se lija nuk ka paraqitur një kërcënim për më shumë se katër dekada, shumica e njerëzve nën moshën 45 vjeç nuk e kanë marrë vaksinën dhe furnizimet e vaksinave janë sot shumë të kufizuara.

Briand tha se ekspertët po përpiqeshin të përcaktonin se çfarë e kishte nxitur këtë situatë të pazakontë, duke thënë se hetimet paraprake nuk tregonin se virusi që shkakton linë e majmunëve kishte ndryshuar ose kishte pësuar mutacion.

Ajo u shpreh se përhapja mund të ndalet nëse vendosim masat e duhura tani.

Burimi: The Guardian