“Katastrofa e vërtetë po vjen”, Zelensky: 22 milion tonë grurë po mbahen të bllokuar në kapanone nga Rusia

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se gati gjysma e furnizimit të eksportit të grurit të Ukrainës, është aktualisht e bllokuar, pasi Rusia vazhdon t’i mbajë të mbylluara rrugët kryesore të eksportit të vendit, përmes Detit të Zi dhe Detit Azov.

Ai e ka cilësuar situatën si një “katastrofë” të mundshme për sigurinë globale të ushqimit.

“22 milionë tonë drithë mbahen sot në kapanone. Ne nuk mund t’i furnizojmë ato në tregjet ndërkombëtare ku janë të nevojshme pikërisht në këtë moment kohor”, shprehet Zelensky.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se sipas vlerësimeve të OKB-së, uria mund të prekë 50 milionë njerëz të tjerë këtë vit, duke nënkuptuar se numri i të prekurve do të jetë më i madh.

“Uria nuk vjen vetëm, ajo shoqërohet gjithmonë me kaos politik që përkeqëson situatën, shkatërron jetët e njerëzve, duke krijuar kushte të pasigurta për njerëzit e zakonshëm.Në korrik, kur shumë vende do të shterojnë stokun e të korrave të vitit të kaluar, do të bëhet e qartë se katastrofa po vjen vërtet”, tha ai.

Zelensky pranoi gjithashtu një ftesë për të marrë pjesë në Samitin e G20 në Indonezi në nëntor.