Vodhi tri dele, dy qura dhe 10 pula – një vit burg dhe 900 euro gjobë

I akuzuari V.Q., është dënuar me 1 vit burgim dhe 900 euro gjobë, pasi ka pranuar se në muajt prill dhe maj 2016, në Komunën e Pejës, ka vjedhur tri dele, dy qura dhe 10 pula, në dëm të tre të dëmtuarve A.G., J.K. dhe B.Q.

Një vendim të tillë, e ka marrë gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Murat Hulaj, më 15 tetor 2020, pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të 14 tetorit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale nga dispozitivi i parë i aktakuzës, V.Q. është dënuar me 300 euro gjobë, për veprën penale nga dispozitivi i dytë me 300 euro, si dhe për veprën penale nga dispozitivi i tretë, me 1 vit burgim dhe me 300 euro gjobë. Ashtu që gjykata të akuzuarit V.Q., e ka dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 900 euro gjobë.