Nxënësit u rikthyen në bankat shkollore, mësimi do të vazhdojë edhe pas 10 qershorit?

Mësimi në shkolla po zhvillohet normalisht, pas pauzës 18 ditore e cila u bë për shkak të grevës.

Është dita e dytë e mësimit, pas grevës pothuajse trejavore, nxënësit dhe arsimtarët janë rikthyer në bankat shkollore.

TV21 vizitoi Shkollën fillore “Vasil Gllavinov”. Drejtoresha e kësaj shkolle Elita Demiri na tha se ndryshe nga e premtja kur nxënësit nuk iu kishin përgjigjur thirrjes për kthim në mësim, sot të gjithë ishin në vendet e tyre, sikurse punonjësit po ashtu edhe nxënësit.

Drejtorët e shkollave ende nuk janë të informuar se si do të veprojnë në lidhje me kompensimin e orëve mësimore. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri para disa ditësh i tha SAShk-ut që të gjejë zgjidhje për këtë çështje duke i fajësuar për ditët e humbura të mësimit. Ndonëse ende nuk ka vendim definitiv, burime pranë Ministrisë së Arsimit për TV21 thonë se mësimi do të vazhdojë edhe pas 10 qershorit për t’i kompensuar të gjitha ditët e humbura nga greva. Opsioni tjetër është që të punohen disa të shtune deri në fund të gjysmëvjetorit të dytë dhe ditët e ngelura përsëri pas 10 qershorit, kur nxënësit duhet të lirohen në pushim veror.

Është bërë rikthimi i nxënësve në bankat e shkollës, i gjithë procesi edukativo-arsimor po zhvillohet në kushte normale sipas asaj që është organizuar dhe planifikuar, pra gjithçka është në suazat e normales. Tani presim instruksione nga Ministria e Arsimit, mbi mënyrën se si do të kompenzohen orët e humbura- deklaroi Elita Demiri , Drejtoreshë e SH.F. “Vasil Gllavinov”

Kryesia e SAShK-ut dhe Ministria e Arsimit kanë 10 ditë afat për tu dakorduar në lidhje me rritjen e pagave. Takimi i fundit që kanë realizuar ka qenë të premten, ndërsa sipas informacioneve nga Ministria e Arsimit, takimi i radhës do të zhvillohet nesër. Kjo nënkupton se nga 10 ditët në dispozicion, kanë kaluar katër ditë pa asnjë takim. Nga SASHK pa përgjigje se deri ku janë bisedimet.

Sindikata nuk pranoi ofertën e fundit nga Ministria e Arsimit për rritje të pagave për 12%, ata kërkojnë rritje prej 18,4% dhe harmonizim të rrogave të tjera me rrogën minimale.