Ноrrori në Korçë/ “Në dhjetor u рikaѕ me bark të frуrë”- Ѕhqetëѕimi i mjekes për gruan që futi foshnjen në valiхhe: Këtu ka рroblematika të thella…

Tri vite më parë, gruaja me inicialet M. A. kishte shfaqur probleme mendore, ndërsa diagnoza, sipas mjekëve, është skizofreni, një sëmundje e rëndë, e cila sjell shkëputjen nga realiteti të pacientit.

Sipas mjekes neuropsikiatre Nikolina Bode, 40- vjeçarja është çuar për kontroll nga familjarët, por refuzonte mjekimin. Pas zbulimit të ngjarjes së rëndë, ku gruaja kishte lënë foshnjën e pajetë në një valixhe në dhomën e saj, psikiatrja shprehet se nuk kishte dijeni që gruaja ishte trajtuar nga institucionet përkatëse të shëndetit mendor.

“Nuk isha njohur më parë me rastin. Sot ishte dita e parë që u njoha nëpërmjet rrjeteve sociale dhe që pashë pacienten për herë të parë. Nga ana e familjarëve, kjo njihet si e sëmurë prej tri vitesh me probleme të shëndetit mendor.Po nga familjarët mora të dhëna që ka qenë e kartelizuar para një viti në qendrën e shëndetit mendor. Ka aplikuar një injeksion në muajin gusht dhe ndërkohë, terapia orale e dhënë nga mjeku tjetër nuk është marrë rregullisht nga pacientja”, shprehet ajo.

Nëna fatkeqe kishte shkuar në spital edhe për shkak të anemisë së theksuar dhe gjakderdhjes.

“Vetë familjarët thonë se e kanë shoqëruar. Madje është dërguar në shërbimin e urgjencës për probleme anemie dhe hemorragjie që ajo ka pasur, por që nuk dihej origjina e kësaj anemie”, theksoi mjekja.

“NË DHJETOR, ME BARK TË FRYRË”

Mjekja psikiatre deklaron gjithashtu se nga deponimet e familjarëve të gruas, ajo është pikasur që në muajin dhjetor me bark të fryrë, por nuk ka pranuar të ekzaminohej.

“Nga informacionet që mora, referohej nga familjarët që në muajin dhjetor është parë me bark të madh, por ndërkohë që nuk mund t’i afrohej dhe ekzaminohej. Vetë familja dëshmon që e ka parë më vonë, kur ndërkohë edhe sot duket që është me probleme anemike. Ka mungesë fuqie, por ende nuk dihet se nga i ka ardhur”, u shpreh ajo.

“GRUAJA, JASHTË REALITETIT”

Mjekja psikiatre sqaron edhe simptomat nga të cilat vuan gruaja, gjendja e së cilës është e rënduar. Pavarësisht kësaj, ajo nuk është trajtuar asnjëherë. Madje, 40-vjeçarja shkon deri atje sa deklaron se ajo është një “person tjetër” dhe se foshnja ka lindur nga ky “person”. “Sa u përket problemeve të shëndetit mendor, që unë konstatova sot, është e sëmurë, jashtë realitetit, është e papërgjegjshme, nuk është kritike për situatën”, tha ajo. Mjekja deklaron se në raste të tilla, institucionet duhet ta trajtojnë me detyrim në qendra shëndetësore.

“Në këtë rast vepron ligji i shëndetit mendor, që është shtrim i detyruar me vendim gjykate dhe trajtim dhe hospitalizim afatgjatë”, shtoi ajo duke theksuar se për trajtimin e tyre në shtëpi, e vendosin mjekët përkatës. Mjekja e shikon si shqetësues faktin që gruaja e papërgjegjshme jetonte me një fëmijë gjithashtu të papërgjegjshëm. “Nuk më pëlqen fakti që ajo jetonte vetëm me një fëmijë autik, ku edhe ai është i papërgjegjshëm. Këtu ka problematika të thella, jo vetëm sociale”, u shpreh ajo.