Marketet gjermane: pas vajit dhe miellit, tjetër produkt “fshihet” nga raftet

Ka kohë që në raftet e marketeve gjermane nuk ka miell apo vaj luledielli. Aty ku ka nga kjo e fundit, pra vaj luledielli, shitet deri në pesë euro për litër.

Por mungesa e produkteve ushqimore në marketet gjermane nuk ka fund. Të dhënat nga Instituti për Kërkimin e Tregut (IRI) tregojnë se mund të ketë dhe mungesë të orizit.

“Degët e Kaufland, Aldi dhe Lidl së shpejti mund të përballen me furnizim dhe shpërndarje të vështirë të orizit”, sipas të dhënave të Institutit.

Mediat gjermane theksojnë se orizi, së bashku me makaronat dhe ushqimet e konservuara, është një nga ushqimet më të kërkuara.

I përket kategorisë së ushqimeve më të lira, njëherësh më i pasur me vlera ushqyese. Një pako oriz për momentin mund të blihet për një euro.

Sipas të dhënave të IRI, kërkesa për oriz ishte 74 për qind më e lartë në mars 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2021.

Sipas mediave, edhe dyqanet kanë vënë re një kërkesë të shtuar për këtë ushqim, por nuk duhet të ketë mungesë të plotë të orizit.

Prodhuesit më të mëdhenj të orizit në botë janë Kina dhe India – vende që nuk janë prekur nga lufta në Ukrainë.

Me fjalë të tjera, nëse kërkesa vazhdon të rritet, më shumë oriz mund të importohet në Gjermani nga këto vende.

Konsumatorët në Gjermani janë shumë të vetëdijshëm për pasojat e konfliktit ukrainas-rus. Përveç energjisë, duket se të gjitha produktet janë shtrenjtuar.

Vetëm pak javë më parë, Lidl-it dhe Aldi-t iu desh të rregullonin çmimet e shumë ushqimeve, ku përfshihen edhe produktet e qumështit, por edhe llojet e ndryshme të kafesë dhe çajit. Mediat gjermane thonë se rritjet e mëdha të çmimeve nuk kanë fund.