Gjylameti: Ka ardhur koha për një presidente grua

Deputetja e PS: Puna për reformën zgjedhore ka ngecur për shkak të PD

Teksa kryeministri Edi Rama pret propozimet e deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri, një pjesë e tyre ende nuk i kanë gati. Deputetja e PS, Blerina Gjylameti e sheh të vështirë përzgjedhjen e kandidaturave.

“Është përgjegjësi e madhe të propozosh kandidatura, emra për një institucion kaq të lartë. Jam ende duke u menduar, por do doja shumë që të gjithë emrat që propozoheshin të bënin një dallim të madh me figurën aktuale”.

Blerina Gjylameti thotë se ka ardhur koha që në krye të presidencës, të jetë një grua.

“Më shumë se sa grua ose burrë duhet të jetë një figurë me integritet të lartë, por nga ana tjetër mendoj se ka ardhur moment që të jetë një grua, pse jo. Shpresoj që këtë radhë të jetë një grua. Sepse kemi parë që gra me kontribut dhe nivele të larta profesionalizmi kanë drejtuar institucione të rëndësishme”.

Deputetja e PS foli dhe për bashkëpunimin me PD për reformën zgjedhore, që për shkak të problemeve të brendshme në selinë blu, duket se ka krijuar një ngërç.

“Është një kërkesë e tyre për të ringritur komisionin e reformës zgjedhore, që do të thotë se do duhet dhe ata të ngrihen mbi problematikat e brendshme të tyre. Shpresoj t’i zgjidhin sa më shpejt problemet dhe të kemi emrat në tryezë për të vijuar punët. Mesa duket janë ende te faza për të zgjidhur problematikat e tyre të brendshme”.

Së fundmi, Blerina Gjylametit i është besuar sekretariati për koordinimin në PS. Vetë ajo e sheh si një rikthim në detyrë, për t’i dhënë një tjetër impuls ngritjes së strukturave elektorale.

Klan News