Si reagon trupi deri në 15 ditë pas lënies së cigares

Edhe pse shumica e duhanpirësve i kuptojnë rreziqet që cigarja shkakton, lënia e saj është diçka e vështirë. Kjo ndodh pasi nikotina që gjendet në duhanin e cigares, është një substancë që krijon varësi, gjithashtu dhe se vesi i të pirit duhan është vështirë që të ndryshohet.

Cilido që pi cigare i këshillohet që ta ndalojë, pasi duhanpirja shoqërohet me probleme afatgjata të shëndetit, siç janë tumoret, sëmundjet e mushkërive, zemrës dhe mëlçisë.

Sipas të dhënave, ndalimi i konsumimit të cigares shfaq përmirësime në shëndetin e organizmit që në dy javët e para.

Mushkëritë e duhanpirësve janë të ekspozuara ndaj shumë substancave të dëmshme përfshirë nikotinën dhe monoksidin e karbonit. Këto kimikate kanë efekt të drejtpërdrejtë me presionin e gjakut dhe me rrahjet e zemrës.

Në vetëm 20 minutat e para nga momenti kur lihet cigarja, tensioni i gjakut dhe pulsi rikthehen në nivele të shëndetshme. Dhe brenda 24 orëve, nivelet e monoksidit të karbonit bien, duke e lejuar oksigjenin që ndodhet në gjak të arrijë nivelet e duhura.

Gjithashtu brenda një dite, qarkullimi i gjakut në ekstremitetet e trupit, fillon të përmirësohet.

Dita e dytë

Brenda 48 orëve të lënies së cigares, qelizat e nuhatjes dhe të shijes fillojnë të rigjenerohen. Madje fillon të zhduket dhe ‘fryma e duhanpirësit’, një aromë e cila është karakteristikë e të gjithë duhanpirësve.

Shumë shpejt mbas lënies së cigares, qelizat qerpikore që gjenden në brendësi të mushkërive, fillojnë dhe punojnë më mirë. Kështu funksionin e nxjerrjes së toksinave jashtë organizmit, e kryejnë më saktë.

Pavarësisht efekteve pozitive, lënia e cigares ka të njëjtat shenja si substancat e tjera narkotike.

Pasi të kanë kaluar 48-orët e para, trupi fillon dhe e kërkon nikotinën, dhe në pamundësi për ta gjetur kalon një shok. Prandaj në këtë fazë mund të ketë raste të marramendjes, tensionit të ulët apo të përzierave.

Pas 15 ditësh

Kur kanë kaluar përreth dy javë nga lënia e duhanit, qarkullimi i gjakut përmirësohet, duke rritur nivelet e largimit të helmeve nga trupi.

Qarkullimi i gjakut ka si funksion dhe furnizimin me oksigjen të qelizave të organizmit, gjë që pas lënies së duhanit fillon dhe normalizohet.

Shenjat që nikotina lë në gishtërinjtë dhe në dhëmbë do të fillojnë dhe të zhduken. Gjithashtu dhe volumi i ajrit që mbajnë mushkëritë fillon dhe të rritet.

Duke qenë se prodhimi i mukusit të mushkërive fillon dhe të rritet javët e para të lënies së cigares, në fillim të javës së tretë rrugët e frymëmarrjes do të jenë më të pastra. Gjë që sjell eliminimin gradual të kollës me sekrecione që shkakton konsumimi i cigares, si dhe parandalim të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes. \agroweb