“Gjumi s’na merr, do Zoti na ndihmon” 10 ditë kërkime për gjetjen e të miturit që u mor nga rrjedha e lumit

Vijojnë tashmë prej 10 ditësh rresht kërkimet për të gjetur trupin e një 10 vjeçari që u morr nga rrjedha e lumit Fan në një fshat të Mirditës. Deri më tani nuk ka patur asnjë rezultat konkret për gjetjen e të ndjerit, ndërsa familjarët kanë apeluar për ndërhyrje me mjete më të specialuara. Një prej familjarëve tregoi se prej 10 ditësh nuk i merr gjumi natën dhe se dyshimet e tyre janë se trupi mund të jetë pranë digës.

“Kanë kërkuar njerëzit çdo ditë. Unë mendoj se vetëm në digë mbase ka ngelur midis pemëve. Nëse lejohet teknikisht të hapet diga s’ka rrugë tjetër. Një fëmijë 10 vjeç i pafajshëm humbi jetën, ne nuk na merr gjumi. Do Zoti na ndihmon, ne dhe gjithë banorët po na ndihmojnë për të bërë të pamundurën për ta gjetur djalin e vogël. Nëse lejohet teknikisht të hapet diga sepse aty brenda mund të jetë, nuk kemi lënë vend pa kërkuar”, tha një familjar për faxnews.

“Duhen forca në terren më shumë, forca speciale. Nga dita e parë të gjithë jemi në kërkim në terren dhe nuk po shohim asnjë shenjë. Kërkimet në terren duhet të kontrollohet deri tek diga, duhen forca sa më shumë. Shpresojmë që të gjendet.

Uji është shumë i rrëmbyeshëm , i thellë por nuk po e gjejmë dot. I bëjmë thirrje që të shtohen më shumë forcat, i gjithë fshati është në kërkim. Institucionet të jenë në terren dhe bëj apel të hekurt të kontrollohet një për një e gjithë zona”, tha një tjetër familjar i 10-vjeçarit.