“Mbretëresha u rikthye”, këngëtarja shqiptare bën namin me këngën e saj të fundit

Artistja e njohur shqiptare, Era Istrefi, është rikthyer fuqishëm me këngën e re pas një pauze të gjatë. Testi i këngës është shkruar nga vet ajo dhe Bim Bimma, ndërsa muzika është punuar nga Claydee dhe Era Istrefi.

Kënga “Bebe”, në të cilën ka interpretuar në gjuhën shqipe, por sigurisht me stilin e saj tejet të veçantë. Fansat duket se mezi e kanë pritur rikthimin e këngëtares 27-vjeçare, teksa e kanë komplimentuar së tepërmi edhe për paraqitjen e saj skenike.

Istrefi që prej dy vitesh ishte larguar nga muzika, ka marrë komente të shumta. “Mbretëresha është kthyer” – është një ndër komentet dhe reagimet pozitive të fansave të këngëtares.Këtë sukses e ka shpërndarë vetë Era, e cila e ndau gëzimin me fansat përmes një postimi në InstaStory.

Ky projekt ndërkaq për vetëm një kohë të shkurtër ka shënuar afro pesë milionë klikime në platformën YouTube.Ndërkohë, përveç këtij projekti Era tashmë ka nisur punën edhe për këngë të reja, këtë gjë e ka dëshmuar edhe sot, teksa ka publikuar një postim në InstaStory nga një studio muzikore.Krahas kësaj, Era po ashtu ka premtuar se do të jetë më aktive e në vazhdim do të sjellë edhe shumë bashkëpunime e prurje të tjera.