Gruaja italiane përgatitet që të fillojë shkollën e mesme në moshën 90 vjeçare

Një grua italiane 90 vjeçare, që nuk mundi ta vijoj shkollimin për shkak të Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në klasë për të studiuar, në mënyrë që të pranohet në shkollë të mesme.

Annunziata Murgia është personi më i vjetër në klasën e saj që ndjek mësime për t’u pranuar më pas në shkollë të mesme.

“Më pëlqen të studioj, më ka pëlqyer gjithmonë. Por kur shpërtheu lufta, gjithçka ndryshoi për mua. Më duhej të shkoja dhe të punoja, pasi familja ime kishte vështirësi dhe unë duhej të luaja rolin tim. Njëherë e një kohë, vetëm ata që kishin para mund të studionin”, thotë ajo.

Murgia tha se mësoi të qepte kur ishte fëmijë dhe vazhdoi të bëhej rrobaqepëse. Por ajo lexoi shumë libra dhe tha se studionte vetëm, sa herë t’i jepej mundësia.

Pasionet e saj janë historia dhe muzika.

“Unë i kam dashur gjithmonë librat e historisë, edhe sepse kam përjetuar një pjesë të mirë të historisë së shkruar në libra – kam parë pasojat e Luftës së Parë Botërore dhe kam përjetuar të dytën”, u shpreh 90 vjeçarja.

Kalimi i provimit, i cili përfshin teste për shkrim e këndim dhe matematikë italiane, kërkohet për të pranuar në arsimin e mesëm të lartë, i cili në Itali përfundon në moshën 18 vjeçare.

Marina Pilia, mësuese e letërsisë në shkollë, e përshkroi Murgian si një nxënëse shumë të pasionuar dhe të angazhuar, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Edhe pse ka disa vështirësi në dëgjim, ajo është aktive në orët e mësimit, veçanërisht në histori”, tha Pilia.

Shkolla kryesisht kujdeset për mësimin e të rriturve, dhe ata të moshës 16-20 vjeç që kanë nevojë të mësojnë përsëri. Mosha mesatare e nxënësve në klasën e Murgias është mbi 40 vjeç, disa prej të cilëve po përgatiten edhe për diplomën e shkollës së mesme.

“Shpesh ato janë gra që rikuperojnë arsimin pasi kanë lindur fëmijë, ose njerëz që nuk e kanë marrë kurrë diplomën dhe kanë nevojë për punë, pasi është kërkesa minimale e arsimit”, tha Pilia.

Personi i fundit në grupmoshën e Murgias që u ul për provimin në shkollë ishte një grua 87-vjeçare, në vitin 2016.

“Disa më shoqërojnë në shtëpi në mbrëmje, kur është errësirë, shokët e klasës janë si nipërit e mi”, shtoi ajo.