A po i vjen fundi pandemisë? Propozohet heqja e certifikatave për hyrje në shtet

Të mos kërkohet më certifikatë anti-covid për hyrje në Maqedoni të Veriut. Kjo është masa e re që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse propozoi sot në kuadër të heqjes së masave shtrënguese.

“Vendosëm dhe sollëm rekomandim që të hiqet certifikata për hyrje në shtet siç është kërkuar deri më tani. E dini se gjatë periudhës së kaluar e hoqëm certifikatën për dalje nga shteti, tani do të hiqet edhe ajo certifikatë që kërkohet për hyrje në vend pa marrë parasysh se a janë shtetas tanë apo janë të huaj që e vizitojnë vendin”, theksoi Zllate Mehmedoviç, zëdhënës i KSI-së.

Por, heqja graduale e masave restriktive nuk do të thotë se po vjen fundi i pandemisë. Madje sipas zëdhënësit të Komisionit, Zllate Mehmedoviç situata është gjithmonë nën mbikëqyrje dhe në rast se ka rritje eventuale të numrit të të infektuarve ka mundësi për rikthim të masave restriktive.

“Po ngadalë jemi duke u rikthyer në mënyrën normale të të jetuarit, por virusi është ende i pranishëm, nuk duhet t’ia kthejmë shpinën pasi që çdo herë që fillojmë dhe e injorojmë, ndera këtë e shohim si problem edhe tek vendet tjera të cilave injorimi i vir usit iu është kthyer si bumerang dhe kanë rritje të numrit të të infektuarve, të të hospitalizuarve por edhe të të v dekurve”, pohoi Zllate Mehmedoviç, zëdhënës i KSI-së.

Të njëjtën e tha edhe Ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, virusi ende nuk mund të shpallet i vd ekur.

“Për fat të keq, ende nuk mund ta shpallim të vd ekur koronën. Nuk mund të precizojmë me kohë, megjithatë ne po punojmë siç e dini çdo ditë në bazë të informatave që marrim”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Ndryshe, ndër masat restriktive që janë ende në fuqi përfshihet mbajtja e detyrueshme e maskave në transportin publik, në barnatore, në shtëpitë e pleqve dhe në spitale si dhe për hyrje në objektet e mbyllura gastronomike duhet të jeni të pajisur me certifikatën e vaksinimit.