Njohja e patentave me Gjermaninë/Rregullat, kush mund ta konvertojë pa provim

Është nënshkruar këtë të martë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Gjermanisë që i hap rrugë njohjes reciproke të patentave.

Në një postim në faqen zyrtare në “Facebook” Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë njofton se këto rregulla hyjnë në fuqi në datën 1 qershor të këtij viti.

Ambasada thotë se nga kjo njohje përfitojnë zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motoçikletë, veturë, kamion dhe autobus), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri. Kjo vlen për shtetas rezidentë në Gjermani (qëndrimi në Gjermani për të paktën 185 ditë në vit).

NJOFTIMI I AMBASADES

Me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të përbashkët ditën e sotme në Tiranë Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, z. Oliver Luksic, MdB, dhe Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, znj. Belinda Balluku, kanë hapur rrugën për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.

Të dhënat kyç më të rëndësishme:
Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 qershor 2022
Zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motorr, veturë, kamion, autobuz), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri.

Kjo vlen për shtetas me rezidencë në Gjermani (qëndrimi në Gjermani për të paktën 185 ditë në vit).Përmes kësaj marrëveshjeje për bashkëqytetarët/et shqiptarë/e në Gjermani krijohet mundësia e një aksesi të sigurt ligjor në tregun e punës, për të cilin shpesh leja e drejtimit të automjeteve është kriter i rëndësishëm.

Për Gjermaninë kjo njohje përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në mënjanimin e mungesave të fuqisë punëtore të kualifikuar.