Vlora Çitaku tregon se pse dihet shumë pak për jetën e saj private

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitakum, ka qenë e ftuar këtë javë në një nga kronikat e emisionit “Prive”.

Ajo i është përgjigjur 50 pyetjeve që lidhen kryesisht me jetën e saj profesionale, e shumë pak në ato për jetën e saj personale.

Nënkryetarja aktuale e Partisë Demokratike të Kosovës, tregoi se pse në gjithë këto vite e ka parë të arsyeshme të mos prononcohet mbi jetën e saj emotive.

Vlora Çitaku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
“Sepse unë kam besuar gjithmonë që jeta private nuk është relevante për funksionin tim publik, njerëzit duhet të përqendrohen në punën që unë bëj e jo në jetën time private”, ka thënë Çitaku.

Por ajo u tregua edhe më diplomatike kur u pyet nëse ‘dihet pak sepse ka pak zhvillime apo sepse është hermetike’.

“Unë mundohem që jetën time private ta mbaj shumë larg syve të kamerave, por miqtë e mi sigurisht që e dinë dhe i dinë, mirëpo prapë po them që zhvillime edhe mund të ketë, por më mirë larg syrit të keq”, tha më tej Vlora.

Ndërkohë, më tutje ajo u pyet edhe nëse njeriu mëson nga lidhjet e dështuara dhe nëse ajo vet ka mësuar nga lidhjet e dështuara gjatë jetës, duke pohuar që ndodh një gjë e tillë.

“Njeriu gjithmonë mëson nga lidhjet e dështuara, nga relacionet me njerëz, qofshin ato intime-sendimentale, qofshin shoqërore, qofshin profesionale, çdo lidhje është mësim edhe nëse është pësim”, tha ish-Ambasadorja e Kosovës në ShBA.

Përndryshe, Çitaku e përfundoi mandatin e saj si ambasadore e vendit në Shtetet e Bashkuara në mars të vitit të kaluar dhe që me kthimin e saj në Kosovë, asaj i është besuar detyra e nënkryetares së PDK-së. /Telegrafi/