Nëse Europa nuk na pranon sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë

Shqipëria ka vite që pret dritën jeshile për t’u anëtarësuar në BE, por dita e shumëpritur nuk po vjen kurrë dhe duket sikur është ende shumë larg.Një nga teoritë konspirative që qarkullon lart e poshtë është se Shqipëria nuk futet dot në BE sepse shumica e popullsisë është myslimane.

Por përgjigjen më të mirë për këtë teori konspirative e ka dhënë prifti katolik Dom Gjergj Meta. Një reagim i shkurtër i tij që flet gjatë dhe s’ka më nevojë për koment më shumë.

“Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen,më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një hollandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo.

Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në Xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën”, shkruan prifti katolik Dom Gjergj Meta.