




Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në Greqi, në afërsi të qytetit të Kilkisit. Mediat vendase raportojnë se një tren i linjës Selanik – Idomeni ka tërhequr zvarrë tre të rinj nga Pakistani dhe njëri prej tyre fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Dy persona e tjerë janë transportuar me autoambulancë dhe po trajtohen në spital. Bëhet fjalë për dy meshkuj, 21 dhe 30 vjeç, me origjinë nga Pakistani. Sipas të njëjtave informacione, gjendja e 30-vjeçarit konsiderohet e rëndë, por nuk është në rrezik për jetën, ndërsa 21-vjeçari ka mbetur i plagosur lehtë.
Deri më tani nuk ka të dhëna për identitetin e personit të vdekur dhe po hetohet, pasi trupi i tij u gjet i copëtuar nga zjarrfikësit.





Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është duke mbledhur informacione, nëse tre të rinjtë kanë qenë duke kaluar në shina, apo kanë qenë mbi vagonë dhe për arsye që nuk dihen kanë rënë në binarë.
Ky është rasti i dytë që ndodh në vend, thonë mediat greke, pasi kjo përdoret shpesh si praktikë nga emigrantët që duan të udhëtojnë drejt kufirit të Idomenit nga ku kërkojnë dalje në një vend europian. Ngjarja e rëndë raportohet të jetë regjistruar në orën 11.10 të kësaj të marte.