“Tregova që nuk kam ardhur me fat këtu”, Florian Marku nuk përmbahet pas suksesit: Më jepni Amir Khan ta thyej. Më parë më evitonin, ndërsa tani…

Florian Marku ka mbrojtur sot titullin Ndërkombëtar IBF të peshës velter me një sukses spektakolar ku mundi Kris Xhenkins me KO në raundin e katërt. Ai menjëherë pas duelit, i lëshoi sfidën kampionit Amir Khan për një sfidë, ashtu si Konor Ben të cilin prej kohësh e ngacmon duke e ftuar për një ndeshje.

“Desha të tregoja që nuk kam ardhur me fat ku jam sot, nuk i kam fituar fansat në një ditë. Jap zemrën në ring. Të çarën e kam për gjuajtjen me kokë. Por sot kam bërë një ndeshje më të mirë se kundërshtari. Po mësoj ende, jam duke boksuar vetëm prej 3 vitesh. Me jepni Amir Khan, do e thyej. A e do turma Amir Khan?

Të them të vërtetën e nisa me vrull raundin se e çara mund të ishte e madhe dhe mund të më ndalte gjyqtari dhe e shtova ritmin. E dija që kisha 10 raunde, sot tregova diçka që kam mësuar.

Askush nuk mund ta ndalë në katër raunde Xhenkins. Më tregoni një, nuk ia ka bërë askush këtë që i kam bërë unë.

Sfida nga Kris Kongo? Mos më përmendi këto emra, kur isha në rrugën time, këto po më evitonin të gjithë. Tani që bëj zhurmë, të gjithë duan të ndeshen. Më jepni djalin e Najxhëll Ben, Bruk, Amir Khan, më jepni një nga këta për t’u ndeshur”, tha Marku pas suksesit.