Valon Syla për Duda Baljen: Pse s’po mbulohet ajo ma së pari?

Gazetari Valon Syla e ka pyetur deputeten Duda Balje se përse nuk po mbulohet me shami fillimisht për vete para se të lobojë për shami në Gjakovë kjo pasi deputetja Balje i është drejtuar drejtores së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Forentina Gjergjaj, duke e pyetur publikisht se në cilat ligje të vendit e ka bazuar vendosjen e simboleve ndaluese në shkollë.

Syla ka shkruar se reagimi i Baljes është popullist dhe se Gjakova s’ka pasë kurrë probleme identitare, raporton Gazeta Express.

“Gjakova është vendi me traditë të theksuar shqiptare dhe kulturore. Kurrë s’ka pasë probleme identitare. Drejtoresha e shkollës atje qenka sulmuar nga Duda Balje, një ditë para Ramazanit, duket se me llogarirje populliste për 1 grusht vota, për ndalimin e nxënësave me shamia në shkollë publike të qytetit. Dy pyetje për Duda Baljen, sa lobon për shamia në Gjakovë, pse spo mbulohet ajo mas pari? Pse nuk po udhëheq me shembull vetanak duke u mbulu vet me shami? Mos e teproni me popullizëm, se ska mbet Reçani mi kallxu Gjakovës për referenca kulturore. E poashtu Gjakova me shumë sakrifica gjatë luftës së fundit, se mbaj mend që ju ka përzi boshnjakëve e torëbeshëve për ndoj send. Leni kopallat”, ka shkruar Syla.

Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.

Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar Gjergjaj.

Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj,

“Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gjergjaj.

Ndryshe, Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje i është drejtuar drejtores së kësaj shkolle, Forentina Gjergjaj, duke e pyetur publikisht se në cilat ligje të vendit e ka bazuar vendosjen e simboleve ndaluese.

“Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë znj. Florentina Gjergjaj, nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!! Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, papërjashtuar edhe besimet fetar”, ka shkruar deputetja në llogarinë e saj në Facebook.