Kamberi: Synojmë t’i kemi tre deputetë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë

Kamberi ka akuzuar shtetin serb për lejimin e garimit në këto zgjedhje, siç tha ai, të kriminelëve serbë gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kosovë.

Deputeti shqiptar në legjislaturën e fundit në Serbi, Shaip Kamberi ka thënë se në dy vitet e fundit kemi pasur në vazhdimësi një politikë shtetërore kundërshqiptare, e cila në deklarimet publike ka shprehur gjuhën e urrejtjes edhe ndaj pakicave të tjera, sidomos ndaj shqiptarëve, duke i shpallur si armiq të këtij shteti.

“Me këto cilësime shqiptarët në Luginë do të vazhdojnë të përballën me diskriminimin e shtetit serb”, tha ai.

Sipas tij, kësaj here është një situatë tjetër, nga se në këto zgjedhje do të marrin pjesë edhe partitë opozitare.

“Në fakt nuk kemi asnjë dallim në programet tona, porse kritikat e tyre në drejtim të presidentit Vuçiq janë tepër të buta në raport me Kosovën, tepër të buta në raport me shqiptarët e Luginës, nuk e mohojnë përfshirjen e Serbisë në NATO, nuk janë për ndërprerjen e lidhjes së Serbisë me Rusinë, që do të thotë se Vuçiq do të jetë një patriot pro-serb”, tha Kamberi për RTK-në.

Ndërkaq rreth asaj që kriminelët serbë po marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë dhe reagimit të BE-së për këtë çështje, Kamberi ka thënë se burokracia e BE-së po reagon me vonesë.

“Kriminelët e luftës janë pjesë e debatit në Republikën e Serbisë në dy vitet e fundit në vazhdimësi që nga poshtë e lartë në fjalimet e të gjithëve deri tek presidenti Vuçiq. Të gjithë kanë refuzuar ta quajnë kriminel Ratko Mlladiqin dhe që murali i tij ruhet nga polica e Serbisë në qendër të Beogradit”, tha Kamberi .

E tash, siç shprehet ai, kur në Parlamentin e Serbisë do të kemi edhe kriminelë lufte, vjen një reagim i vonuar i BE-së dhe kjo, me gjasë, nuk do të ndikojë tek vota që mos t’u japin atyre.