Prindërit e braktisën se lindi me aftësi të kufizuara, ndërron jetë djali që preku zemrat e miliona italianëve

Rasti i Giuliano Margherita-s, katërmbëdhjetëvjeçarit me aftësi të kufizuara, i cili ishte braktisur nga prindërit dhe më pas adoptuar nga komuna e Marcianise-s, Caserta, mbajti të ngërthyer me miliona italianë këto ditë.

Pas bërjes publike të historisë së tij, të shumtë ishin personazhet e njohura të jetës publike në vendin fqinj që u organizuan për të mbledhur sa më shumë fonde për shërimin e tij, por për fat ai s’ia doli dot mbanë.

Edhe pse iu nënshtrua trajtimeve të specializuara dhe një operacioni delikat pas një krize të frymëmarrjes, djali i verbër dhe pothuajse i shurdhër, nuk mundi ta fitojë betejën më jetën.

Giuliano u braktis nga prindërit, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar akoma, në një kosh plehrash për shkak se kishte lindur me aftësi të kufizuara. Emri dhe mbiemri që ai mbante iu vu nga dy personat që e gjetën dhe u kujdesën për të përpara se të adoptohej nga Komuna e Marcianise-s.

Lajmin e ndarjes së tij nga jeta e dha, kryebashkiaku, Antonello Velardi, i cili ditët e fundit kishte publikuar të rejat për gjendjen e tij shëndetësore. Në një postim në Facebook “Lajmi i vdekjes së Giuliano-s është një lajm shumë i trishtë për mua, për insitucionin që drejtoj, për të gjithë ne që kishim birësuar atë fëmijë që u bë djali i të gjithëve. Është nga ata lajme që s’do të kisha dashur t’ua jepja kurrë. E humbëm. Tani na kanë mbetur vetëm lotët.”-shkruan ai.