“Një pikë karburanti, e maskuar si shtet”, oksigjeni që mban gjallë makinerinë ruse të luftës

Rusia është një ndër vendet kryesore të prodhimit të naftës dhe gazit natyror. Eksportet energjetike janë oksigjeni që mban gjallë ekonominë ruse.Me një rrjet të gjerë gazsjellës që e lidh me vendet fqinje, Rusia mund të ushtrojë ndikim të madh jashtë kufijve të saj. “Burimet kryesore të gazit rus janë në Siberinë perëndimore. Prej aty nis një rrjet i tërë tubacionesh që përshkon Rusinë perëndimore, për të vijuar më pas në Europën lindore, qendrore e deri në perëndim të kontinentit”, thotë për CNN Business Noah Brenner, përgjegjës për hemisferën lindore në kompaninë “Energy Intelligence”.

Një prej këtyre gazsjellësve, Nordstream 1, mund të dërgojë 55 miliardë metra kub gaz në BE çdo vit. “Nordstream 2 do të kishte dyfishuar sasinë e gazit që Rusia do të kishte dërguar në Gjermani. Sigurisht që kjo nervozoi partnerët perëndimorë të saj, sidomos Shtetet e Bashkuara, sepse e panë si një fitore të Rusisë edhe në sferën gjeopolitike të Europës”, thotë Brenner.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Nordstream 2 është pezulluar. Por Europa nuk është tregu i vetëm për energjinë ruse. “Kemi një ngopje të kërkesës europiane për gaz rus, kështu që e ardhmja duket se drejtohet nga Azia, veçanërisht Kina”, thotë Brenner.

Në lindjen e largët të Rusisë ndodhet një tjetër burim gazi, që lidhet me Kinën përmes gazsjellësit “Power of Siberia”. Në vitin 2019, televizioni shtetëror kinez raportoi se deri në vitin 2024, ky gazsjellës do të dërgonte 38 miliardë metra kub gaz çdo vit. “Rusia ka bërë një propozim për të ndërtuar një tjetër gazsjellës, të quajtur “Power of Siberia 2”. Kjo aleancë mes Rusisë dhe Kinës mund të shihet si një tjetër mënyrë që Rusia të përdorë gazin si mjet për të shtuar ndikimin e saj”, thotë Brenner.

Kjo armë e fuqishme ekonomike dhe politike ka rritur shqetësimin mes shteteve, sidomos atyre europiane, për ndikimin rus. “Ideja që Rusia mund ta përdorë gazin si armë, duke ndërprerë ose pezulluar furnizimin me gaz, por edhe me naftë, ka qenë pikëpyetja më e madhe në Perëndim. Por deri më sot, Rusia nuk e ka bërë këtë”.

Të ardhurat nga energjia janë jetike për Rusinë dhe humbja e çdo “klienti” do të ishte e dëmshme. Por me nisjen e pushtimit të Ukrainës kërcënimi për ndërprerje të eksporteve është rritur ndjeshëm. “Konflikti në Ukrainë ka krijuar ndryshime sizmike në mënyrën sesi Europa mendon të sigurojë gazin. Europa gjithmonë e ka ditur që është e varur nga gazi rus dhe kjo është parë gjithmonë si një pikë e dobët e kontinentit”, thotë Brenner. “Por brutaliteti me të cilin Rusia po bombardon Ukrainën ka bërë që shtetet europiane të merren shumë më seriozisht me këtë çështje”.