Erdogan i bën thirrje Putinit që “të tërhiqet me nder” nga Ukraina

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje Vladimir Putinit të bëjë një “tërheqje me nder” nga Ukraina. “Tani ju duhet të jeni arkitekti i hapit që duhet bërë drejt paqes”, i ka thënë Erdogan presidentit rus të premten, sipas Zyrës Presidenciale të Turqisë, transmeton albinfo.ch.

Erdogan me këtë rast ka përsëritur se ai nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë. “Është e pamundur që Turqia të prishë lidhjet me Rusinë”, ka thënë ai, raportojnë mediat turke dhe ndërkombëtare.

Ai nuk mund t’i lë njerëzit e tij në të ftohtë në dimër dhe borë, dhe ai nuk mund ta transformonjë plotësisht as industrinë. Turqia është gjithashtu e varur nga Moska për furnizime me gaz dhe furnizime të tjera.

Përveç kësaj, numri më i madh i turistëve në Turqi për çdo vit vjen nga Rusia, përcjell albinfo.ch. Ndërsa centrali i parë bërthamor i vendit po ndërtohet aktualisht në Turqinë jugore nën udhëheqjen ruse. Pas përfundimit, centrali bërthamor do të mbulojë rreth dhjetë për qind të nevojave të Turqisë për energji – afërsisht konsumin e metropolit të Stambollit.