Kush është Olena Zelenska: Nga arkitekte në Zonjën e Parë të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u kthye në pak kohë në figurën kryesore qëndrestare të luftës, duke fituar admirimin e shumë njerëzve në mbarë botën. Mirëpo krahas tij, edhe Zonja e Parë e Ukrainës ka dëshmuar se është mbështetësja më e palëkundur e bashkëshortit të saj dhe mbetet pranë tij, pasi ai refuzoi të largohej nga vendi përballë pushtimit rus.

Sikurse Volodymyr që nuk i përkiste më parë botës së politikës, por të televizionit, edhe 44-vjeçarja Olena kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo u diplomua si arkitekte në universitet – kohë kur u takua me Zelensky-n, që atëherë ishte student i drejtësisë. Kur bashkëshorti i saj i tha për herë të parë planet e tij për të lënë karrierën që kishte, për të kandiduar si president, Olena tha publikisht se kishte kundërshtuar në mënyrë kategorike këtë vendim.

E megjithatë, kur erdhi koha që ai të bënte fushatë, Olena u shfaq pranë tij duke mbajtur edhe fjalime. Pas fitores së Zelensky-t, nëna e dy fëmijëve e përqafoi plotësisht rolin e saj si Zonjë e Parë. Ajo nisi të shoqëronte të shoqin në të gjitha aktivitetet e tij shtetërore dhe në pak kohë, filloi të përdorte ndikimin dhe pozicionin e saj për të mbrojtur kauza të ndryshme, si të drejtat e fëmijëve dhe barazinë gjinore.

Ylli i kopertinës së Vogue ka rënë gjithmonë në sy edhe për veshjet dhe stilin e saj elegant. Veç kësaj, ajo prej kohësh kishte vendosur të mbështeste dhe të promovonte kudo stilistët ukrainas.

Pavarësisht profilit të saj të lartë, dihet pak për fillimin e jetës së Zonjës së Parë. Olena Zelenska lindi në maj 1978 në Kryvyi Rih, një rajon rusishtfolës që në atë kohë ishte pjesë e Republikës Sovjetike Socialiste të Ukrainës. Volodymyr lindi në të njëjtin vit dhe në të njëjtin qytet, por fati e deshi të njiheshin gjatë kohës kur studionin.

Asokohe, Olena një vajzë e bukur bionde me tipare të theksuara, ishte prej kohësh në një lidhje.Romanca e Volodymyr-it dhe Olena-s nisi kur ata të dy po punonin për një konkurs në garat kombëtare të humorit. Në vitin 2003, pas tetë vitesh njohje, çifti u martua. Karriera e Volodymyr-it si komedian qe shumë e suksesshme, ndërsa Olena qëndroi kryesisht jashtë vëmendjes, duke u larguar nga tapeti i kuq dhe paraqitjet në media. Në vitin 2004, ata u bënë prindër të një vajze, Oleksandra dhe në janar 2013 edhe të një djali, Kyrylo.

Olena-s shpesh i është dashur të përballet me sfida të shumta që kur Volodymyr vendosi të niste fushatën si kandidat për president. Menjëherë në rolin e saj si Zonja e Parë e Ukrainës, ajo njoftoi nismat e para në një intervistë për “Vogue Ukraine”.

Nëna e dy fëmijëve vendosi të zbatonte një projekt për të përmirësuar cilësinë dhe shumëllojshmërinë e ushqimit në çerdhe, kopshte e shkolla për të gjithë fëmijët. Sipas saj, ushqimi i duhur ishte çelësi për zhvillimin, shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijës, ndaj fushata sensibilizimi mbi këtë tematikë, nisën në të gjithë vendin.
Projekte të tjera të Olena-s kanë pasur fokusin në edukimin dhe lehtësimin e shërbimeve kulturore për njerëzit me aftësi të kufizuara. Kështu ajo prezantoi një platformë që do të ndihmonte këta qytetarë të kishin shpjeguesit dhe udhëzuesit e tyre specifik nëpër muze.

Një tjetër gur themeli i punës së Olena-s kanë qenë të drejtat e grave. Ajo qe nismëtare e propozimit për pranimin e Ukrainës në iniciativën ndërkombëtare të G7 për barazinë gjinore, si dhe ka promovuar Kongresin e Grave të Ukrainës, një platformë që punon për të forcuar të drejtat e barabarta.

Pavarësisht se janë në rrezik, çifti Volodymyr dhe Olena kanë zgjedhur të qëndrojnë në Kiev dhe të mos largohen nga Ukraina, që tashmë prej një jave po vuan sulmet e pushtimit rus, transmetona, A2CNN

Duke shpërndarë një foto të flamurit ukrainas në Instagram, fill pas mësymjes ruse, ajo shkroi: “Njerëzit e mi të dashur! Ukrainas! Unë po ju shikoj të gjithëve sot. Të gjithë ata që shoh në rrugë, në internet, në postimet dhe videot tuaja. Jeni të pabesueshme! Jam krenare që jetoj me ju në të njëjtin vend! Thuhet se shumë njerëz janë turmë. Kjo nuk ka të bëjë me ne. Sepse shumë ukrainas nuk janë turma. Kjo është një ushtri! Sot nuk do të ketë panik dhe lot. Do të jem e qetë dhe e sigurt.

Unë do të jem pranë fëmijëve të mi dhe pranë burrit tim. Dhe sigurisht, pranë jush! Jeni të pabesueshëm, të dashur bashkatdhetarë! Në vetëm dy ditë u bëtë të gjithë një ushtri. Në metro, streha për bomba, me fëmijë dhe kafshë shtëpiake, ju bëni punën tuaj, keni kohë të kujdeseni për të tjerët, të ndihmoni njëri-tjetrin.

Të mblidhemi në mediat sociale për të mbrojtur shtëpitë dhe për të ndihmuar fqinjët e vetmuar. Dhuroni gjak për ushtarët dhe viktimat. Raportoni lëvizjen e automjeteve të armikut. Ju po ndihmoni Forcat e Armatosura, të cilat po luftojnë në të gjitha frontet. Ne jemi ushtria, ushtria jemi ne! Dhe fëmijët e lindur në strehimoret për bomba, do të jetojnë në një vend paqësor që ka mbrojtur veten.”