Lind në Shqipëri fëmija i parë i një ukrainaseje që i shpëtoi luftës

Në Shqipëri mësohet se kanë mbërritur më shumë se 300 ukrainas të cilët kanë filluar të përshtaten me jetesën këtu.Bledi Bajraktari- Konsulli i Nderit të Ukrainës, gjatë një emisioni televiziv tha se në Shqipëri ka lindur fëmija i parë i një gruaje ukrainase e cila i shpëtoi luftës në Ukrainë.

“Kushdo që ka ardhur në mënyrë individuale dhe ne nuk e dimë do u thoja të lënë kontaktet në ambasadën e Ukrainës dhe tu vijmë në ndihmë. Një pjesë e kanë përdorur mbërritjen për të ikur në Shqipëri. Është rritur numri me dhjetëra. Kemi dhe të lindurin e parë. Një vajzë refugjatë para dy ditësh solli në jetë djalin e saj,” u shpreh Bajraktari.

Më tej Konsulli tregoi se ukrainasit kanë filluar edhe kërkesat e para për të marrë statusin e azilantit në vendin tonë.

“Kemi edhe kërkesa për azil në vendin tonë. Janë disa procedura ligjore që do ndiqen dhe janë procedura burokratike dhe nuk kemi hasur probleme. Disa janë përshpejtuar,” tregoi Konsulli.