




Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon), John Kirby tha se Rusia nuk ka mundur të arrijë asnjë objektiv strategjik që ka përcaktuar në Ukrainë dhe se ushtria ukrainase mund të fitojë luftën kundër Rusisë.
Në një konferencë ditore për media, Kirby tha se ushtria ruse ende nuk ka mundur të arrijë në masë të madhe qëllimet e saj.
Në pyetjen e një gazetari se “Në aspektin ushtarak, a mendoni se është e mundur që Ukraina të fitojë luftën?”, zëdhënësi Kirby tha: “Po, mendojmë. Madje në disa vende e bëjnë këtë. Po përpiqen të rimarrin territoret që Rusia ka marrë ose që ka pushtuar.





Rusët nuk kanë arritur objektivat e tyre në asnjë prej objektivave të tyre strategjikë që kanë përcaktuar. Dhe objektivat që kanë arritur, nuk i kanë arritur ato në mënyrë kategorike lehtë ose pa humbje. Ukrainasit po bëjnë një mbrojtje shumë të ashpër”.
Në përgjigje të një pyetjeje mbi komentet e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov se Rusia mund të përdorë armët bërthamore “nëse përballet me një rrezik ekzistencial”, Kirby tha se po ndjekin nga afër nëse Rusia ka ndryshuar apo jo dislokimin e armëve bërthamore.





“Mund të them se nuk kemi shikuar asgjë që të na shtyjë të arrijmë në përfundimin se duhet të ndryshojmë dislokimin tonë strategjik të parandalimit. Sekretari (Lloyd Austin) është i qetë dhe sigurt se dislokimi ynë strategjik i parandalimit është i strukturuar mirë për të mbrojtur jo vetëm atdheun por edhe aleatët dhe partnerët tanë”, tha Kirby.
Ai e ka cilësuar si “të rrezikshme” retorikën e Rusisë lidhur me armët bërthamore dhe theksoi se ardhja në rend dite e armëve bërthamore në këtë mënyrë “nuk është mënyra se si duhet të veprojë një fuqi bërthamore e përgjegjshme”.