“Vajza ime është në Gjermani, po ti? Taksisti sot më dha një leksion të mirë dhe ndihem keq”

“Vajza ime është në Gjermani, po ti? Taksisti sot më dha një leksion të mirë dhe ndihem keq”
Sot më duhej taksia dhe u ula poshtë në lagje. Zgjodha qëllimisht një taksist paksa të moshuar, sepse jam i sigurt se taksistët e kohës së para viteve ’90 janë më të sjellshëm dhe profesionalë se taksistët e rinj.

Hipi në makinë dhe e cys, sepse dua ta bëj mik për pak minuta, aq sa zgjat rruga. I shijoj shumë bisedat në taksi. “Me naftë punon kjo?” – e pyes unë me një dridhje të lehtë të zërit, sepse kurrë nuk i dihet sa të mirëpret një i panjohur në një bisedë rastësore. “Po, me naftë”, – përgjigjet taksisti. “Fitimin e paske minimal fare”, – përpiqem unë ta cys edhe më shumë. Përgjigjja e tij është befasuese.

“Nuk ka gjë. Nëse më parë fitoja 5 lekë, tani fitoj 3 lekë. Kështu është kjo punë. Putinit iu shkrep të bënte këtë rrëmujë dhe e pësojmë të gjithë. Edhe në supermarket, produktet tani i gjen më shtrenjtë. Edhe shitësi fiton më pak”. Shtangem, sepse unë zakonisht pres ankesa nga njerëzit. Kjo ndoshta ndodh se ankohem vetë 24 orë, ose sepse kur pi 6 makiato në ditë me brezin e ri, të pastërvitur ende me jetën, dëgjon vetëm ankesa. Jemi të paparë për ankesa, por na pëlqen t’i shoqërojmë me makiato.

Shijojnë më shumë dhe… nuk lodhesh.Unë këmbëngul. Dua që taksisti të më thotë fjalitë që dua unë. “Shiko, mos vallë e harrove fare se ke një shtet thuajse inekzistent, që nuk di të ulë taksat dhe të na ndihmojë për produktet e shportës? Nëse do ishim shtet normal…”Taksisti më ndërpret në sekondë: “O djalë! Vajzën më në fund arrita ta çoj në Gjermani. Ky ishte synimi im. Ka dy vite atje, me burrin. Eshtë për bukuri. Jam shumë i lumtur që e rehatova andej. Ky vend është kot, ka mbaruar. Nuk mendoj për vete. Do shtyj vitet e mia. Ti, ku je?”Ma mbylli gojën.

Ai e ka fjetur trurin për vete dhe ka rehatuar vajzën, njeriun më të dashur të jetës. Një burrë i moshuar nuk ka pse ankohet apo të marrë vendime. Nuk mendon. E ka fjetur trurin. Dhe ka të drejtë, se është në moshën e qetësisë, jo të revoltës.Ndihem keq tani, sepse makiatoja më ngeci në fyt, teksa po shkruaj këtë tekst.

Taksisti më preu në besë. Nuk u ankua dhe as më ftoi për një kafe. Bëri të kundërtën dhe më kujtoi se sa bosh dhe pa plan jam unë.