Qindra mijë pula të ngordhura në Durrës, flasin ekspertët e sigurisë ushqimore” S’kemi ku t’i groposim”

Gati 1 milionë pula kanë ngordhur për shkak të gripit të shpendëve. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se dëmin me të madh e ka pësuar firma “Rea”, ndërkohë që po ashtu virusi ka prekur edhe 80% të tufave të tjera nëpër pularitë e tjera.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se subjektet që janë prekur nga kjo ngordhje masive e pulave kërkojnë ndihmën e shtetit për t’i groposur, ndërsa deri më tani i mbajnë brenda magazinave, të veçuara nga pulat e tjera. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka bërë me dije se deri më tani nuk ka asnjë hapësire se ku do të groposen 320 mijë pulat e ngordhura, por gjithë çfarë dihet është jashtë Durrësit, pasi kjo Bashki nuk ka pranuar që t’i eliminojë në territorin e saj.

Sipas tyre, në të gjithë zonën që kanë në administratim, nuk ka një terren që të plotësojë kushtet ligjore për groposjen e shpendëve me virus. Ndërsa kanë sqaruar sot se ngordhja e pulave nuk ka ardhur vetëm si pasojë e gripit të shpendëve.

Në deklaratën për shtyp, fillimisht në datën 12 mars ka pasur raportime nga vetë kompanitë për ngordhje masive të pulave të tyre, e sipas ISUV deri më datë 19 mars, një tjetër kompani, më konkretisht ‘Aiba’, ka raportuar të njëjtën problematike dhe në bazë të analizave, ku u konfirmua edhe rasti i parë i gripit të shpendëve në vendin tonë.

Sa i përket infektueshmërisë, drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Tana Kika, në deklaratën e sotme ka nënvizuar se konsumimi i produkteve të shpendëve nuk është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve, por shtoi se veza është e tërhequr nga tregu për arsye sigurie. Ndërsa mishi i pulës sugjerohet qe produktet të gatuhen mbi 75 gradë Celsius për të zhdukur çdo mikrob të mundshëm. Megjithatë mënyra e vetme e infektimit deri më tani është kontakti me shpendët e infektuara./Burimi “Dosja.al”