Veliaj sfidon ministrat e Ramës të lënë makinat; shkon në punë me biçikletë

Gjithçka po bën ekzekutivi për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve që të kursejnë në këto kohë të vështira. Fillimisht ishte ministrja Belinda Balluku, ajo që na tha të ecnim më shumë në këmbë e jo në makina, sepse kështu nuk harxhojmë shumë karburant.

Ndoshta të heqim edhe një vakt ditor për të qenë më pranë dietës së shëndetshme. Pastaj doli kryeministri të na bindte se përpjekja e tyre nuk është e llojit: “Bëni si them unë, por jo si veproj unë”. Kreu i mazhorancës qeverisëse tha se ka përgjysmuar kuotat për karburant të zyrtarëve, madje edhe ministrave të tij.

E tëra kjo propagandë bëhej në kulmin e priotestës 1-javore të qytetarëve shqiptarë për rritjen e çmimeve.

Megjithatë, një goditje e mori kjo përpjekje për të na e shitur sapunin për djathë kur ministra Bora Muzhaqi u pyet nga gazetari, sapo zbriti nga makina para Kuvendit të Shqipërisë.

Pavarësisht se kolegia e saj Balluku kishte sugjeruar ecjen në këmbë, ajo tha se ministrat e kanë të ndaluar të mos udhëtojnë me makinë. Sot, “stafetën” për të bërë “show” e radhës e ka marrë krybashkiaku Erion Veliaj.

Ai ka bërë një fotografi duke shkuar në punë me biçikletë dhe e ka postuar në rrjetet sociale. “Lali Eri” e dha shembullin personal, tani presim të shohim mbi dyrrotakëshin edhe minsitrat e Ramës.

Duhen dmonstrime me figurë tashmë, se qeveritarët po kursejnë, gjë që duhet ta bëjë edhe populli, pasi përbetimet me zë nuk pinë më ujë. Si duhet ta marrin këtë foto të Veliajt: si vijim të propagandës së tij apo si referencë të qartë edhe për Ballukun me kolegë të tjerë ministra?!