Kërkohet që Zelensky dhe populli i Ukrainës të nominohen për Çmimin Nobel për Paqe

Afati i fundit për pranimin e nominimeve për Çmimin Nobel për Paqe duhet të zgjatet në mënyrë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të konsiderohet si kandidat për këtë çmim, kanë kërkuar një grup politikanësh evropianë.

Komitetit të Nobelit i është dërguar një apel për të rihapur procedurën e nominimit dhe shtyrjen e afatit prej 31 janari deri më 31 mars, në mënyrë që Zelensky dhe populli i Ukrainës të mund të konsiderohen për çmimin, shkruan Newsweek, transmeton Reporteri.

“Megjithëse jemi të vetëdijshëm se kjo është një thyerje e procedurës, ne besojmë se është e justifikuar nga situata aktuale e paprecedentë,” thuhej në letrën e nënshkruar nga 36 politikanë nga Holanda, Britania e Madhe, Gjermania, Suedia, Estonia, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia.

“Është detyra jonë demokratike t’i kundërvihemi autoritarizmit dhe të mbështesim një popull që lufton për demokracinë dhe të drejtën e tij për vetëqeverisje”, thuhet në kërkesën e tyre. /Reporteri.net