“Ti e nise luftën, vetëm ti mund ta ndalosh”, Arnold Schwarzenegger i bën thirrje Putinit

Aktori i famshëm Arnold Schwarzenegger i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë luftën në Ukrainë.

Sipas tij, presidenti rus dhe populli rus duhet që të hedhin dritë mbi ‘të vërtetën’ për pushtimin në Ukrainë, duke e përshkruar atë si një ‘katastrofë humanitare’.

Në një video të shpërndarë për ndjekësit e tij në Instagram dhe në faqen e kompanisë mediatike ATTN në Facebook, aktori 74-vjeçar austro-amerikan ndau dashurinë e tij për Rusinë dhe popullin rus përpara se t’i bënte komente të ashpra Putinit dhe Kremlinit.

Duke e përshkruar veten si ‘mik prej kohësh’ të popullit rus, ai i jep një mesazh të drejtpërdrejtë Putinit: President Putin, ti e nise këtë luftë. Ju jeni duke e udhëhequr këtë luftë. Ju mund ta ndaloni këtë luftë.