“Gra shtatzëna e fëmijë nën rrënoja”, nuk dihet fati i qindra civilëve pas bombardimit të teatrit në Mariupol

Fati i qindra civilëve që ishin strehuar në Teatrin e Dramës në Mariupol nuk dihet ende. Kjo është deklarata që ka bërë nga Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës rajonale të Donetskut që përfshin Mariupolin.

Sipas tij, forcat ruse po përpiqen të “shkatërrojnë fizikisht Mariupolin dhe banorët e tij që kanë qenë deri më tani simbol i rezistencës. Kyrylenko tha se sulmi ajror u bë në Teatrin e Dramës dhe pishinën e Neptunit.

“Sipas të dhënave paraprake, disa qindra banorë të Mariupolit strehoheshin në Teatrin e Dramës. Fati i tyre nuk dihet, pasi hyrja në strehë është bllokuar nga rrënojat,” tha ai.

“Rusët gënjejnë, [duke thënë] se aty ndodhej selia e Regjimentit të Azov. Por ata vetë e dinë mirë se kishte vetëm civilë,” shkruhet më tej në postim.

Batalioni Azov është një milici ultra-nacionaliste që është integruar në forcat e armatosura të Ukrainës.

“Ka gra shtatzëna dhe gra me fëmijë nën rrënoja. Ky është terrorizëm i pastër!”

Aktualisht është e pamundur të përcaktohet numri i viktimave të këtyre bombardimeve dhe shkalla e shkatërrimit gjithashtu. /abcnews.al/