Hartohet plani prej 15 pikash, mediat e huaja zbardhin marrëveshjen, Rusia dhe Ukraina gati për t’i dhënë fund luftës

Delegacionet mes dy vendeve, Ukrainës dhe Rusisë kanë hartuar një plan prej 15 pikash për të vendosur paqen. Sipas mediave të huaja, është bërë përparim në negociatat, por ukrainasit mbeten skeptikë për qëllimet reale të Putinit.

Të dy vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm drejt zbatimit të një plani paqeje, një armëpushimi dhe tërheqjen e forcave ruse nëse Kievi deklaron neutralitetin dhe pranon kufizime ndaj forcave të saj të armatosura, thanë burimet e përfshira në bisedime.Marrëveshja e propozuar, e diskutuar në detaje nga negociatorët ukrainas dhe rusë për herë të parë të hënën, do të thotë se Kievi heq dorë nga ambiciet e NATO-s dhe zotohet të mos lejojë armë të huaja dhe baza ushtarake të huaja në tokën e saj në këmbim të mbrojtjes së aleatëve si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Turqia.

Natyra e garancive perëndimore për sigurinë e Ukrainës dhe pranueshmëria e tyre për Moskën mund të rezultojë të jetë një pengesë e madhe për çdo marrëveshje, siç mund të ishte statusi i territoreve ukrainase të pushtuara nga rusët dhe mbështetësit e tyre në vitin 2014.
Moska dhe Kievi thanë sot se është bërë përparim në aspektin e marrëveshjes, por zyrtarët ukrainas mbeten skeptikë për angazhimin e presidentit rus për paqen. Ata janë të shqetësuar se Moska po fiton kohë vetëm për të rigrupuar forcat dhe për të vazhduar ofensivën.

Negociatori dhe këshilltari ukrainas i presidentit Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolak, i tha Financial Times se çdo marrëveshje do të përfshinte një “largim të forcave ruse nga territori ukrainas” i pushtuar që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, duke përfshirë rajonet jugore dhe territorin në lindje dhe në veri të Kievit.

Ukraina do të mbante forcat e saj të armatosura, por ato do të mbeten jashtë aleancave ushtarake si NATO.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve sot se neutraliteti i Ukrainës mund të bazohet në statusin e Austrisë dhe Suedisë.

“Ai opsion është duke u diskutuar dhe mund të konsiderohet neutral”, tha Peskov.
Pavarësisht përparimit të bisedimeve të paqes, qytetet ukrainase po vuajnë granatimet dhe Kievi ka nisur një kundërofensivë kundër forcave ruse.

Megjithëse kushtetuta e Ukrainës kërkon anëtarësimin në NATO, Zelensky dhe bashkëpunëtorët e tij po “zvogëlojnë” gjithnjë e më shumë shanset që Ukraina të
bashkohet me aleancën. Rusia do ta konsideronte një provokim hyrjen e Ukrainës në NATO.

“Nuk ka asnjë sistem efektiv sigurie evropiane të moderuar nga NATO. Sapo të shpërthejë një luftë serioze në Evropë, NATO do të tërhiqet shpejt. Ne propozojmë një model ukrainas të garancive të sigurisë, i cili përfshin pjesëmarrjen e menjëhershme dhe të verifikuar ligjërisht të një numri vendesh garantuese në konflikt do të cenojë integritetin e saj territorial”, theksoi Podolak.