Rritja e karburanteve, kaq u kushton qytetarëve në Evropë e botë për ta mbushur një rezervuar

Qytetarët e Greqisë do të duhej që të paguanin gjashtë për qind të pagës së tyre për një rezervuar të mbushur me benzinë këtë të hënë, pas rritjes së çmimeve të karburanteve, si pasojë e invazionit rus në Ukrainë.

Kjo është shifra më e lartë mes të gjitha shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Madje edhe në SHBA, kur u shënuan shifra rekorde me rritje prej 4 dollarësh për galon gjatë javës së kaluar, qytetarët amerikanë janë të fundit në listë për përqindjen e pagës dedikuar benzinës, transmeton Gazeta Express.

Sipas hulumtimeve të përbashkëta nga OECD dhe Global Petrol Prices, qytetarët amerikanë është dashur të paguajnë 1.2 për qind nga paga e tyre për 60 litra benzinë. Ndërsa, shteti fqinj, Kanada, është përafërsisht i njëjtë me 1.9 për qind.

Qytetarët e Meksikës detyrohen të paguajnë 4.8 për qind nga paga e tyre për 60 litra benzinë.

Përderisa qytetarët e Danimarkës detyrohen të paguajnë 2.2 euro për litër të benzinës Octan 95, një serbator i mbushur plot do t’i merrte vetëm tre për qind nga paga etyre mujore. Paga mesatare në Danimarkë është 4480 euro. Ndërkaq, poseduesit grekë të makinave paguajnë rreth 1.9 euro për litër, ndonëse pagat e tyre mesatare janë rreth 2000 euro në muaj.