Historia e rusit dhe ukrainases që filluan lidhjen dy javë para fillimit të pushtimit rus në Ukrainë

Për çiftin ruso-ukrainas duket se vlen fjala popullore “dashura nuk njeh kufij”. Ata filluan lidhjen dy javë para se të fillonte pushtimi rus në Ukrainë, dhe më pas vendosën të largohen nga Kievi dhe të fillojnë një jetë të re në Hungari.

Mihail që është nga Rusia arriti në Kiev para një viti, e atje takoi Valerian me të cilën filloi lidhjen vetëm dy javë para agresionit rus, transmeton Telegrafi.

Edhe pse nuk janë njohur edhe aq mirë, pavarësisht rrethanave, vendosën të qëndrojnë bashkë.

“Për dallim nga të tjerët këtu, unë jam rus dhe kam jetuar në Ukrainë për një vit. Rusia do të pendohet për këtë pushtim dhe do të ndjejë pasojat”, tha Mihail i cili së bashku me të dashurën shpresojnë të fillojnë një jetë të re kur lufta të përfundojë.

Mihail me profesion është inxhinier softuerësh, i cili theksoi se ai i takon një grupi të vogël që nuk e përkrahin Putinin.

“Jam në grupin e rusëve që nuk përkrahin politikën e Rusisë, presidentit e as qeverisë, që duan ta rikthejnë besimin në popull”, tha ai.

Dyshja kanë pranuar se largimi nga Ukraina ka qenë stresues dhe akoma nuk po mund të besojnë se ia kanë dalë, por se kjo ishte një “mundësi e mirë” për ta parë fytyrën e vërtetë të njëri-tjetrit.

“Ka qenë një rrugë e gjatë nga Kievi në Hungari, kemi kaluar pesë orë rrugëtim ku vazhdimisht dëgjonim detonimet nga shpërthimet e fuqishme, por në fund ia dolëm. Ajo nuk e dinte se çfarë të priste nga unë, e as unë nga ajo. Por kemi punuar bashkë dhe ia kemi dalë mirë”, ka thënë Mihail.

“Deri më tani është gjithçka mirë mes nesh. Shpresoj se ashtu do të mbetet gjithmonë”, thanë ata.

Ata planifikojnë kur e gjitha kjo të marrë fund – të rikthehen në Ukrainë ku kanë jetuar më parë. Dyshja aktualisht gjenden në Hungari.

“Këtu është gjithçka mirë, kanë restorante të mira, ndërtesa, por nuk mund të lirohemi. Po mendojmë shumë për jetën tonë dhe ku do të na çojë kjo”, thanë për fund. /Telegrafi/